Lidhje me faqet e vjetra të PKG

Faqet e ndërkombëtare të PKG transferohen gradualisht në format të ri. Ju mund të gjeni faqet e mëparshme qe tashmë jane përmirsuar (me të gjitha përbërjet e tyre) në linkun e mëposhtëm.

Përvoja e BRSS-së është e vlefshme në luftën për socializëm

Përvoja e BRSS-së është e vlefshme në luftën për socializëm

Më 14 janar 2023, Partia Komuniste Revolucionare e Francës organizoi një aktivitet në Paris me Temë 100-vjetorin  themelimit të Bashkimit Sovjetik. Më poshtë citojmë ndërhyrjen e bërë në këtë aktivitet nga Elisheos Vagenas, anëtar i KQ të Partisë Komuniste të Greqisë (KKE) dhe Përgjegjës i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

 

«Nëse dikush të thotë se nesër nuk do të ekzistonte BRSS, për ne do të thotë që dielli nesër nuk do të lindë», kishte thënë në një intervistë lideri i Revolucionit Kuban, Fidel Kastro. Kjo frazë kap ndjenjat e miliona komunistëve dhe njerëzve të tjerë progresistë, të cilët po kuptonin se përmbysja e socializmit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik do të nënkuptonte një kthim mbrapa social për punëtorët në mbarë botën.

Pak javë më parë u plotësuan 100 vjet që nga themelimi i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Bashkimi i popujve në baza të barasvlershme madje edhe me të drejtën për t'u tërhequr nga BRSS, krijoi një organizim të ri shtetëror, me parimet e solidaritetit dhe internacionalizmit të punëtorëve të kombeve nga më të ndryshmet. U formua një shtet i bazuar në bazën e përbashkët ekonomike të socializimit/shoqërizimit të mjeteve të prodhimit, të planifikimit qendror të ekonomisë, të kontrollit punëtor.

 

Të vërteta që propaganda borgjeze nuk mund t'i fshehë dot

Sot nuk ka BRSS, e cila u shpërbë 31 vjet më parë. Rezultati – ndër të tjera – ishte “industria” e gënjeshtrave dhe shpifjeve ndaj saj, por kjo nuk mund të ndryshojë dot disa “konstante” të realitetit, si p.sh:

• Popujt, që jetonin në territoret që më parë i përkisnin Perandorisë Cariste dhe karakterizoheshin nga prapambetja e thellë ekonomike, teknologjike, sociale dhe kulturore, përmes themelimit të BRSS-së përjetuan një zhvillim të paparë ekonomiko-shoqëror, një rilindje kombëtare e kulturore. Shfrytëzimi i njeriut nga njeriu u eliminua. Shumë nga qindrat e kombeve që jetuan në këto troje, fituan shkrim, analfabetizmi u mposht, shkenca dhe kultura lulëzuan.

• Popujt e BRSS-së përjetuan arritje shoqërore dhe politike të pa njohura më parë, si shëndetësia falas, arsim falas, strehim të lirë, 8-orëshin në punë, moshën e ulët të pensionit (60 për burrat – 55 për gratë), eliminimin e papunësisë, mbrojtjen e amësisë dhe fëmijërisë, sigurime shoqërore, hapa të rëndësishëm për heqjen e pabarazisë së gruas, zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit drejtpërdrejt nga vendet e punës dhe të drejta për t'i tërhequr/revokuar ata, në rast të shkeljes së angazhimeve të tyre, pa pritur ardhjen e zgjedhjeve të ardhshme etj.

• Rrezatimi i arritjeve shoqërore dhe politike të BRSS-së pati një ndikim të rëndësishëm në mbarë botën kapitaliste dhe popujt që luftonin për të drejtat e tyre, kundër kolonializmit, kapitalizmit dhe luftës imperialiste gjetën një mbështetës konsekuent.

• BRSS ishte forca kryesore, e cila shtypi përbindëshin e fashizmit, të cilin e lindi kapitalizmi. Leningradi, Stalingradi, Beteja e Moskës dhe Kursk-ut dhe shumë sakrifica të tjera të popullit sovjetik do të mbeten në histori, si dhe ngritja e Flamurit të Kuq në Rajhstag, të cilën Ushtria e Kuqe e "gozhdoi" në "zemrën" e Gjermanisë naziste.

• BRSS-ja marshoi në rrugë të reja, deri atëherë të “pa shkelura më parë”, të zhvillimit shoqëror dhe në këtë rrjedhë nuk mundi që të shmangte dobësitë, shtrembërimet, gabimet, siç ishte ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së përfaqësuesve Sovjetë (1936), “huamarrja”,  mekanizmat e tregut (dekada ‘60), që patën si pasojë dobësimin e pushtetit punëtor, pronësia shoqërore e mjeteve të prodhimit dhe planifikimi qendror shkencor, duke formuar gradualisht kushtet ekonomike, sociale dhe politike, të cilat "caktuan rrugën" e përmbysjes së kursit të saj me "Perestrojkën" (në dekadën ‘80).

• Përmbysja e socializmit në BRSS nuk u krye me kryengritje dhe revolucione popullore, por erdhi «nga brenda dhe nga lart», si rezultat i mutacionit oportunist të PK-së dhe drejtimit përkatës politik të pushtetit sovjetik. Në praktikë forcat e oportunizmit, të cilat kishin dominuar në udhëheqjen e PKBS-së, luajtën një rol tradhtar për kauzën e socializmit, drejtuan procesin e kundërrevolucionit. Duke shprehur kështu ato forca shoqërore që ishin shfaqur gradualisht brenda shoqërisë sovjetike, duke kontrolluar gradualisht strukturat e pushtetit sovjetik dhe Partinë Komuniste, duke synuar një rikthim në kapitalizëm.

 

Antikomunizmi si një «bazë e përbashkët» për promovimin e planeve imperialiste

Të dashur shokë,

sot, 31 vjet më vonë, ne duhet të pyesim popujt: Si është, pra, bota jonë? A u bë më e mirë pa BRSS-në?

A kishin të drejtë partitë e djathta, socialdemokrate, "eurokomuniste", që luftuan kundër BRSS-së, të cilat festuan fundin e saj, apo jo?

Sot, popujt që po përballen me probleme gjithnjë e në rritje të shkaktuara nga kapitalizmi, munden të shohin se pas shpërbërjes së BRSS-së dhe përmbysjes së sistemit socialist në vitin 1991 e deri më sot, në "pragun" e vitit 2023, është rritur shfrytëzimi i pamëshirshëm i njeriut nga njeriu. Arritjet e rëndësishme prej dekadash që kishte fituar klasa punëtore dhe popujt, po shkatërrohen. Rikthehet “dimri” i punës, me shpërbërjen e Sigurimeve Shoqërore, kufizimin e lirive dhe të drejtave sindikaliste dhe rritjen e papunësisë. Krizat ekonomike dhe një sërë ligjesh antipunëtore - antipopullore po fuqizohen. Problemet sociale po shumohen, me komercializimin/privatizimin e Shëndetësisë, Arsimit, me problemin e rënduar të strehimit, me banesat që dalin në ankand, me varfërinë energjetike, me rritjen e çmimeve, inflacioni gjithashtu po gëlltit të ardhurat popullore dhe taksat e rënda qëndrojnë mbi shtresat popullore.

Në të njëjtën kohë, rivalitetet dhe antagonizmat imperialiste po intensifikohen, duke çuar në ndërhyrje, konflikte dhe luftëra imperialiste, si ajo në Ukrainë. Kërcënimi i shkatërrimit bërthamor po forcohet, ndërsa refugjatët dhe emigrantët tani janë "lumenj".

Natyrisht, opsionet borgjeze, si në territoret e ish-BRSS-së, ashtu edhe në ato të "Perëndimit", po përpiqen ta paraqesin kapitalizmin si një "një rrugë të vetme" pa asnjë rrugëdalje alternative për popujt, duke riprodhuar shumë shpifje për «mos-efikasitetin e ekonomisë me planifikim qendror, pa treg» , për gjoja "krime të komunizmit", si i famshmi "Golondomor" që promovojnë në Ukrainë të gjitha regjimet borgjeze në 30 vitet e fundit, ose duke thënë se BRSS-ja u shpërbë sepse Lenini dhe bolshevikët i vunë një "minë" në themelet e saj, siç thotë V. Putin-i.  “Emëruesi i përbashkët” i të gjithë këtyre është antikomunizmi dhe deformimi i ngjarjeve historike, që synojnë në promovimin e politikave dhe planeve të tyre antipopullore.

 

Për shpifjen se lufta në Ukrainë gjoja lidhet me "rithemelimin e BRSS-së"

Për më tepër, disa fond-marrës borgjezë që luftuan BRSS-në, po përpiqen të mashtrojnë popujt për të shumtën herë duke pretenduar se lufta në Ukrainë bëhet për shkak të Putinit, «i cili dëshiron të rindërtojë BRSS-në». Por Putin-i, Zelenski dhe regjimet e tjera borgjeze në territoret e ish-BRSS-së janë "copa" nga "pasta" e tyre! Janë rezultat i përmbysjes së socializmit dhe i rivendosjes së kapitalizmit.

Dhe kjo gjë nuk ndryshon nga që udhëheqja ruse, si çdo udhëheqje tjetër borgjeze, vepron si një "kameleon" dhe nuk ka asnjë problem të përdorë një opsion apo një tjetër, madje edhe trashëgiminë e BRSS-së, të cilën e luftoi me zell të madh në të kaluarën e afërt dhe vazhdon ta luftojë ende me mënyrat e saj, për të promovuar interesat e veta klasore në “polemikën” e madhe që ka shpërthyer me fuqitë e tjera imperialiste (SHBA, NATO, BE) për lëndët e para, energjinë, rrugët e transportit të mallrave, mbështetjet gjeopolitike, fuqinë punëtore, pjesët e tregut. Megjithatë, kjo, nuk do të thotë aspak se ai (Putin-i) kërkon të "ringjallë" BRSS-në. Nuk është ky qëllimi i të gjithë këtyre “parazitëve”, të cilët, si në çdo shtet kapitalist, ashtu edhe në Rusinë e sotme, mbajnë në dorë “çelësat” e ekonomisë dhe të pushtetit. Qëllimi i tyre ishte dhe është bashkimi kapitalist i territoreve të vendeve të prejardhura nga ish-BRSS-ja, ku klasa borgjeze e Rusisë dëshiron të ketë një rol të fortë dhe të dallueshëm, analog me atë të Gjermanisë dhe Francës, në proceset e bashkimit kapitalist në territoret e vendeve të BE-së.

Lufta, pra, nuk bëhet për shkak të disa disponimeve nostalgjike pro-sovjetike të udhëheqjes ruse, por për shkak të konfrontimit midis forcave të bllokut imperialist euroatlantik (SHBA, NATO, BE) dhe bllokut imperialist euroaziatik në zhvillim (Rusi, Kinë, etj.).

  "Rindërtimi" i BRSS-së, i cili ishte një Bashkim i Republikave Socialiste, "shtëpia" e përbashkët shtetërore e popujve që atëherë po ndërtonin një shoqëri të re socialiste-komuniste, nuk varet as nga tertipet e oligarkisë ruse dhe as nga shkalla e nostalgjisë së popullatës, e cila vazhdimisht po rritet pavarësisht nga balta e hedhur e propagandës antikomuniste. Kjo varet nga vullneti praktik dhe shkalla e lartë e organizimit të popujve, si dhe nga gatishmëria e tyre për të kërkuar sërish gjithçka që u përket atyre dhe që e kanë humbur në 3 dekadat e fundit.

 

Për identifikimin e gabuar të BRSS-së me Rusinë kapitaliste

Fuqitë dominuese në BE dhe SHBA kërkojnë të identifikojnë Rusinë e sotme me BRSS-në, nën maskën e "totalitarizmit", të "udhëheqjes autoritare", duke vazhduar me një "gjueti shtrigash" të re. Ndër të tjera, ata përpiqen të identifikojnë pushtimin e papranueshëm rus në Ukrainë me ndihmën ushtarake ndërkombëtare që Bashkimi Sovjetik u kishte dhënë vendeve të ndryshme në të kaluarën. Mbi këtë bazë, ne shohim se në një sërë shtetesh po forcohet fushata për shkatërrimin e monumenteve sovjetike, në Poloni po promovohet legjislacioni i ri që ndalon Partinë Komuniste.

Në këto rrethana, ato forca të majta – komuniste që janë duke justifikuar pushtimin rus të Ukrainës, që pranojnë alibitë për gjoja "çmilitarizim" dhe "de-NAZIstimin" e Ukrainës, dhe aq më tepër ato që avancojnë opsionin e tyre me identifikime pa bazë të BRSS-së që ishte një shteti punëtorësh, me Rusinë e sotme kapitaliste, në të cilën bëjnë komando interesat e pakicës, po japin një shërbim të keq në lëvizjen punëtore dhe komuniste. Përpjekjet për të paralelizuar luftën imperialiste në Ukrainë, herë me luftën sovjeto-finlandeze (1939-1940) dhe herë me Luftën e Madhe Antifashiste të Popullit Sovjetik (1941-1945), janë krejtësisht mashtruese sepse thjeshtëzohet/hiqet karakteri klasor i forcave që dyluftonin si atëherë ashtu dhe tani. Këto forca po shpërfillin faktin se në Luftën e Dytë Imperialiste Botërore, pjesë e së cilës ishte edhe beteja e ashpër dhe heroike e bërë nga populli sovjetik dhe Ushtria e Kuqe, ishte një luftë e drejtë vetëm për BRSS-në dhe për lëvizjet partizane të shteteve të pushtuara, ku në krye ishin Partitë Komuniste dhe sigurisht jo për regjimet borgjeze “demokratike”, si p.sh të Britanisë dhe të SHBA-ve, të cilat morën pjesë në aleancën anti-Hitleriane, por që, ashtu si udhëheqja fashiste gjermane, ishin përgjegjës për luftën imperialiste, ata kryen krime të mëdha gjatë zhvillimit të luftës dhe interesat e tyre ishin krejtësisht anti-popullore, siç u vërtetua dhe nga Ndërhyrja imperialiste e Britanisë dhe SHBA-ve në Greqi në fund të Luftës së Dytë Botërore.

 

Identifikimi i Kinës së sotme me BRSS-në është i pavend

Pra, tjetër gjë ishte BRSS-ja dhe tjetër gjë Rusia e sotme kapitaliste. Ashtu si tjetër ishte BRSS-ja dhe tjetër është Kina e sotme ku dominojnë marrëdhëniet kapitaliste të prodhimit, ku fuqia punëtore është mall, nevojat sociale janë të tregtuara, ashtu siç ndoll edhe në pjesën tjetër të botës kapitaliste. Duke filluar nga viti 2012 e deri më sot, në mënyrë të qëndrueshme mbi 60% e GDP-së së Kinës prodhohet nga sektori privat. Miliona njerëz janë të dënuar me varfëri, ndërkohë që Kina është numri i Parë në botë për nga miliarderët, në dispozicion të së cilëve janë Kompani kolosale të tregtisë elektronike, banka, fabrika, hotele, qendra tregtare, kinematografi, mediat e rrjeteve sociale, kompanitë e telefonisë celulare etj. Në të njëjtën kohë, dhjetëra milionë emigrantë të brendshëm janë në lëvizje të përhershme, ata janë të angazhuar në punë të përkohshme dhe mundet të mbeten edhe të papunë, kjo nuk matet në statistikat zyrtare dhe mund të arrijnë deri në shifrën e 30% të fuqisë punëtore të vendit. Dhjetëra miliona njerëz janë të përjashtuar nga shërbimet sociale moderne, si arsimi teknik dhe i lartë por edhe nga përfitimet shëndetësore, për shkak të komercializimit/privatizimit të tyre dhe për shkak se të ardhurat e tyre janë veçanërisht të ulëta. Çfarë lidhje mund të kenë këto sa më sipër me përvojën e BRSS? Sipas mendimit tonë, asnjë!

 

Le të nxjerrim konkluzione edhe nga përvoja negative e BRSS-së

Disa i referohen sistemeve të sigurisë, OKB-së dhe OSBE-së (shënim: më parë quhesh Konferenca për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë), të cilat u krijuan me kontributin aktiv të BRSS-së në 1945 dhe 1975 respektivisht, për të kërkuar formimin e «sistemeve të reja të sigurisë», si ndërkombëtare ashtu edhe rajonale, të cilat supozohej se mund të marrin parasysh "shqetësimet e sigurisë" të së gjitha palëve dhe të sigurojnë përsëri paqen, si kur të ekzistonte BRSS. Këto pikëpamje, të kultivuara nga forcat socialdemokrate dhe oportuniste që bëjnë thirrje për krijimin e një «arkitekture të re sigurie» që gjoja do të lejojnë në mënyrë paqësore të plotësohen interesat e SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së së bashku me ato të Rusisë dhe Kinës, për të arritur një «bashkëjetesën paqësore», janë krejtësisht çorientuese për popujt. Dhe kjo sepse nuk mund të ketë «imperializëm paqësor», siç ka treguar Lenini dhe është vërtetuar historikisht dhe teorikisht se, asnjë marrëveshje, asnjë organizatë ndërkombëtare apo rajonale midis shteteve kapitaliste nuk mund të sigurojë paqen në mënyrë të përhershme.

Shpesh këto deklarata pacifiste që dëgjojmë, janë vetëm “gjethja e fikuk” për të mbuluar mbështetjen e klasës borgjezisë të çdo vendi në rivalitetet dhe luftërat imperialiste. Dhe këtu, qëndrimet e PK Franceze dhe e PK të Federatës Ruse janë shumë karakteristike. PK Franceze më 25/2/2022, një ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, mbajti qëndrim për «një perspektive të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Europë, bazuar në parimet e Aktit Final të Helsinkit dhe Kartës së Parisit të vitit 1990». Më 30/11/2022 ky qëndrim u “kombinua” nga PK Franceze me votimin «Pro» prej saj në Parlamentin francez të armatimeve ushtarake të vendit në favor të qeverisë reaksionare të Zelenski-t, si dhe për forcimin e mëtejshëm të NATO-s me bashkimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Në të njëjtën kohë, nga ana e PKFR-së, mbështetja e klasës borgjeze ruse në luftën imperialiste në Ukrainë bëhet, ndër të tjera, si me argumentin e mbrojtjes së "qytetërimit rus" në "luftën e qytetërimeve", ashtu dhe me nevojën për "një arkitekturë të re sigurie dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare", e cila fillon të marrë formë me pushtimin rus të Ukrainës. Është e ditur se oportunizmi në momentet kritike vjen me argumente të ndryshme konkrete si p.sh. gjoja "pro paqes" për të mbështetur planet imperialiste dhe luftërat e klasave borgjeze të secilit krah. Siç dihet, Partia Komuniste e Greqisë (KKE), si dhe 44 Parti Komuniste dhe 30 Rini Komuniste të tjera, kanë mbajtur qëndrim kundër luftës imperialiste. Partia Komuniste e Greqisë (KKE) thekson se klasa punëtore dhe shtresat popullore nuk duhet të zgjedhin asnjë krah imperialist në këtë konflikt. Ana e duhur e Historisë është forcimi i luftës kundër kapitalizmit, për përmbysjen e pushtetit borgjez, për ndërtimin e një shoqërie të re socialiste.

Gjithashtu, duhet të theksojmë se për eurokomunizmin dhe në përgjithësi për pikëpamjet oportuniste, një sërë vlerësimesh dhe linja politike të gabuara, si p.sh ajo e "konkurrencës paqësor" mes dy sistemeve që dominuan në BRSS pas Kongresit të 20-të të PKBS-së, u erdhën për “mbarë”. Në parim, bëhet fjalë për mbivlerësimin e proceseve pozitive globale pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, pikëpamje kjo e gabuar kjo që mbizotëroi në BRSS, si dhe për dallimin e gabuar nga ana e BRSS-së për forcat borgjeze të vendeve të tjera, gjë që shtrembëroi «referencën e Leninit për bashkëjetesën paqësore, e cila kishte të bënte me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare midis dy sistemeve socio-ekonomike, ajo u ndryshua dhe iu dha një përmbajtje ideologjike dhe strategjike"{1}. Por, një qëndrim i tillë «shpëlante kapitalizmin dhe bindet nga një opsion i gabuar se, të paktën për një kohë historike, dy sistemet do të mundshin të ekzistonin dhe të konkurronin në mënyrë paqësore mes tyre» {2}. Në terrenin e mësipërm u zhvilluan qëndrime utopike, politika oportuniste për "sistemet e sigurisë" ndërkombëtare dhe rajonale, të cilat do të siguronin «bashkëjetesën paqësore» dhe «respektin» reciprok të dy sistemeve socio-ekonomike duke nënvlerësuar kështu natyrën agresive të imperializmit.

KKE, pasi studioi Historinë e BRSS-së, ka vlerësuar se «linja e "bashkëjetesës paqësore", siç u zhvillua në vitet e para të pasluftës, deri diku në Kongresin e 19-të (tetor 1952) dhe kryesisht në atë të 20-të (1956) të PKBS-së, njihte brutalitetin dhe agresionin kapitalist për SHBA-të dhe Anglinë, për pjesë të caktuara të klasës borgjeze dhe forcave politike përkatëse dhe në shtetet kapitaliste të Europës Perëndimore, por jo si një element të qenësishëm të kapitalizmit monopol, imperializmit. Kështu, lejoi kultivimin e nocioneve utopike se është e mundur që imperializmi të pranojë bashkëjetesën afatgjate me forcat që thyen dominimin e tij global»{3}.

 

Të dashur shokë,

Sot jemi të ftuar të shqyrtojmë rrjedhën historike të BRSS-së, të hedhim poshtë anti-sovjetizmin, antikomunizmin, të zhvilluar nga forcat borgjeze dhe oportuniste, por në të njëjtën kohë të hedhim poshtë edhe zbukurimin e BRSS-së. Ne duhet të përballemi në mënyrë kritike me këtë të kaluar socialiste, duke nxjerrë mësime si nga të mirat ashtu dhe nga dobësitë që pati, në mënyrë që të përputhemi më mirë me masat e detyrave të sotme për përmbysjen revolucionare të barbarizmit kapitalist dhe ndërtimin e shoqërisë së re socialiste komuniste.

Jemi të sigurt se shekulli i 21-të do të jetë një shekull revolucionesh dhe kryengritjesh të reja socialiste, duke pasur si armatim shtesë përvojën e vyer nga përpjekja e parë për të ndërtuar një shoqëri të re.

 16/1/2023

{1} «Ese e Historinë së KKE» Vëllimi II 1949 - 1968, f. 94.

{2} «Ese për historinë e KKE» Vëllimi II 1949 - 1968, f. 93.

{3} Vendim i Kongresit të 18-të të KKE në Temën e Dytë, «Vlerësime dhe Konkluzione për ndërtimin socialist në shekullin e 20-të me epiqendër BRSS-në. Perceptimi i KKE për Socializmin»